Në zemër të Alpeve shqiptare, mes natyrës së Shkrelit në Malësinë e Madhe, është hapur kampi veror “Artizan i Shpresës”. Një nismë që prej vitesh synon të mbajë të rinjtë të angazhuar në një zonë që po përballet me sfida të mëdha, e ku plaga më e rëndë është shpopullimi, shkruan A2 CNN.
Dikur mbi 3 mijë banorë, sot fshati numëron vetëm 1 mijë, ndërsa pjesa më e madhe e popullsisë ka emigruar në SHBA, Kanada apo vende të Europës. Në këtë realitet, kampi është kthyer në një hapësirë shprese, ku përmes lojërave, punëtorive artizanale dhe aktiviteteve edukative, të rinjtë gjejnë arsye për të qëndruar më pranë vendlindjes.
Risi e këtij viti është pjesëmarrja e 20 skautëve nga Ferrara e Italisë, të cilët kanë udhëtuar për të ndarë përvojat e tyre dhe për të ndërtuar ura miqësie me bashkëmoshatarët shqiptarë.
“Është hera e parë që vijmë në Shqipëri si grup skaut. Mund të them se këtu mes natyrës bëhet edhe më tërheqëse. Do të jemi deri me 31 gusht. Dita është e gjatë dhe e lodhshme, pasi nis me fëmijët e vegjël, me punët në grup, lojërat argëtuese. Shqipëria është e ngjashme me Italinë dhe gjendemi shumë mirë këtu, kemi të përbashkëta të shumta. Njerëzit janë mikpritës dhe përfshihen”, thotë për A2 CNN Giovanni Rosso, kampist nga Italia.
“Për mua është hera e parë që jam në Shqipëri dhe më pëlqen shumë ambienti këtu dhe njerëzit mbi të gjitha. Ndjehem e lirë të flas me të tjerët, një vend shumë mikpritës. Dita jonë është e gjatë dhe nis me fëmijët, organizojmë lojëra të ndryshme, mësime, ndërveprojmë. Shumë argëtuese për të gjithë, pastaj gjuha me gjithë vështirësitë, është e bukur se këtu kuptojnë italishten pjesa më e madhe, por e miksojmë edhe me anglishten”, thotë Milana Labazanova, kampiste nga Italia.
“Gjendem për herë të parë në Shqipëri dhe po më pëlqen jashtë mase. Kisha kohë që doja ta vizitoja, është pak ndryshe nga sa e prisja, por është shumë mikpritës dhe gjendesh mirë. Këtu kishim kontaktet dhe prandaj duke qenë më e lehtë, erdhëm sivjet këtu. Të rinjtë këtu janë të hapur dhe bashkëpunues, kanë dëshirë të ndërveprojnë”, shprehet Anna Carrà, kampiste nga Italia.
Më shumë se një pushim veror, “Artizan i Shpresës” është një mision për të ngjallur tek të rinjtë ndjenjën e përkatësisë dhe për t’u kujtuar se vendi i tyre ka vlera për të cilat ia vlen të qëndrojnë. (A2 Televizion)