Edhe teza e provimit të maturës shtetërore të Matematikës ka dalë sërish. Sikurse me dy provimet e para atë të Gjuhës së Huaj dhe të Gjuhës e Letërsisë Shqipe, pa kaluar 30 minuta nga nisja e provimit në rrjetet sociale është bërë publike teza e matematikës.
Për të parat ka pasur edhe një reagim nga ana e Ministrisë së Arsimit, duke theksuar se dalja e tezës pas nisjes së provimit, nuk cenon procesin.
Sot 28 mijë maturantë në të gjithë vendin po zhvillojnë testin e Matematikës, i parafundit nga provimet e Maturës Shtetërore. Sipas rregullores, në të gjitha qendrat e provimit, tezat janë hapur në orën 10:00 dhe për dy orë e gjysmë, gjimnazistët do të duhet t’i japin zgjidhje pyetjeve me alternativa dhe zhvillim. 60 pikë përmban i gjithë testi për njohuritë në Matematikë.
Para tri ditësh maturantët kanë mësuar rezultatet në Gjuhën e Huaj të cilat ishin më të ulëta se ato të një viti më parë. 952 maturantë rezultuan mbetës, ndërsa pikët maksimale i arritën 119 maturantë nga 380 që ishte numri i ekselentëve në maturën e shkuar.
Tashmë vlerësuesit kanë nisur korrigjimin e provimeve të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, rezultate që priten të shpallen pas testit të Matematikës. Matura Shtetërore do të mbyllet më 24 qershor me provimin e lëndës me zgjedhje.
(A2 Televizion)