Brenda dy javëve të fundit, në juglindje të vendit kanë humbur jetën 4 adoleshentë, për shkak të problemeve kardiake.
Bëhet fjalë për një 15-vjeçare nga qyteti i Ersekës, një 17-vjeçare në qytetin e Pogradecit, një 16-vjeçar në qytetin e Korçës dhe së fundmi një 12-vjeçar nga Maliqi, shkruan A2 CNN.
“Sindroma e vdekjes së papritur tek moshat deri në 40 vjeç është një sindrom që haset në të gjithë botën dhe ndodh edhe tek personat e shëndetshëm dhe quhet sindromi i vdekjes së papritur aritmike. Një pjesë e rasteve kanë mbetur edhe të pashpjegueshme.
Dy personat e fundit, bëhet fjalë për miokardit akut. Këto janë me natyrë virale pasi i preket në mënyrë të menjëhershme i gjithë muskuli i zemrës duke e nxjerrë jashtë funksionit dhe precipiton një aritmi madhore që mund të jetë fatale”, thotë mjekja për A2 CNN.
Edhe pse rastet kanë alarmuar qytetarët se çfarë po ndodh me të rinjtë, mjekët specialistë shpjegojnë se rastet janë të njohura në mjekësi. Duke iu referuar rasteve konkrete në juglindje, sipas kardiologes, dy raste janë të dyshuara si aritmi madhore, ndërsa dy raste të tjera pasojat kanë ardhur nga virozat.
Ilda Lera, kardiologe në Spitalin e Korçës, thotë se pavarësisht se mjekësia njeh edhe raste të pashpjegueshme, mjekja apelon veçanërisht tek të rinjtë të bëjnë kujdes në përdorimin e pijeve dhe lëndëve narkotike dhe natyrisht të mos neglizhohen kontrollet. (A2 Televizion)