Shqiptarët e diasporës do të kenë mundësi të pajisen me dokumente identifikimi brenda 15 ditëve.
Përgjysmimin e kohës nga 30 në 15 ditë e njoftoi nga Administratorja e Kompanisë shtetërorë të prodhimit të dokumenteve IdentiTek, gjatë një vizite që ministri i Brendshëm Ervin Hoxha zhvilloi në ambientet e kompanisë.
“IdentiTek ka marrë dy iniciativa shumë të rëndësishme në këtë aspekt, e para është përgjysmimi i kohës që ne do të na duhet për të prodhuar këto dokumente të identifikimit. Kemi zhvilluar një modul të ri teknologjik, i cili do të jetë në shërbim të qytetarëve duke nisur nga ky muaj, i cili bën përgjysmimin e kohës së nevojshme. Pra, qytetarët tanë të diasporës do të mund të marrin dokumentet e identifikimit jo më për 30 ditë, por për 15 ditë”, shpjegoi administratorja e IdentiTek, Freskida Halilaj.
Risia e dytë është ofrimi i mundësive për aplikim përmes zyrave të lëvizshme në qytetet ku jetojnë.
Me afrimin e zgjedhjeve të majit Ministri Hoxha tha se duhen organizuar të gjitha kapacitetet për të pasur lehtësim në të gjithë regjimin e aplikimit dhe prodhimit e pasaportave dhe kartave të identitetit.
"Në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme do të planifikojmë lëvizjet, ‘Aplikimet mobile’, siç i quajmë; pra dërgojmë një grup të dedikuar nga IdentiTek nga zyra qendrore, i dërgojmë në këto vende specifike në data specifike dhe qytetarët tanë jashtë vendit mund të kenë mundësinë të aplikojnë përtej ambasadave dhe konsullatave", informoi Halilaj - ministrin.
Administratorja e Kompanisë shtetërorë të prodhimit të dokumenteve IdentiTek u shpreh se kapaciteti i plotë i prodhimit është 6,000 mijë pasaporta dhe 15,000 mijë karta identiteti në ditë. (A2 Televizion)