5 dekada në punë, pensionohet vinçieri në Portin e Durrësit

Nga Gazmend Janku dhe Elitjona Doko
13 Tetor 2025, 15:27 | Aktualitet

Pas pesë dekadash aktivitet të pandërprerë në Portin e Durrësit, Dashamir Sharra ka përmbyllur rrugëtimin e tij profesional. Ai e nisi punën në vitin 1976 si punëtor ngarkim–shkarkimi, ndërsa që prej vitit 1986 ka ushtruar detyrën e vinçierit.

Në intervistën e dhënë për A2 CNN, Sharra rrëfen karrierën e tij shumëvjeçare në port, duke theksuar se gjatë gjithë kësaj periudhe ka punuar me përkushtim dhe pa pasur asnjë incident në punë. Ai thotë se puna në port është bërë pjesë e jetës së tij dhe se profesionin e ka trashëguar si traditë familjare.

Dashamir Sharra është ndër dëshmitarët e transformimeve të mëdha që ka kaluar Porti i Durrësit ndër vite – nga teknikat tradicionale të përpunimit të mallrave, te proceset bashkëkohore të ngarkim–shkarkimit. Në rrëfimin e tij, ai përmend edhe eksodin e vitit 1992 si një moment të vështirë, kur profesioni dhe stabiliteti në port e mbajtën në vendin e tij.

Profesioni i vinçierit dhe i punonjësve të logjistikës portuale, megjithëse i mirëpaguar dhe me kërkesë të lartë në treg, po mbetet gjithnjë e më pak i preferuar nga brezat e rinj, sipas Sharrës, i cili mbyll me krenari një karrierë 50-vjeçare në shërbim të portit më të madh të vendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos