Punimet e artizanatit, që po refuzohen në masë nga të rinjtë shqiptarë, duket se kanë tërhequr vëmendjen e të rinjve të huaj. Qendra Rinore në Korçë ka hapur një kurs për mësimin e thurjes së qilimave në tezgjah dhe, gjatë fundjavës, në këtë kurs takuam tre vajza, dy të huaja dhe një me origjinë shqiptaro-turke, të cilat ishin mjaft të interesuara për të mësuar thurjen e qilimave me dorë.
Vajza me origjinë shqiptaro-turke na tregon në shqip se si u tërhoq nga ky kurs.
Ndërsa dy vajzat e tjera, njëra nga Taivani dhe tjetra nga Anglia, janë tërhequr nga punimet e shfaqura në lokalet e Korçës dhe në rrjetet sociale.
“Përherë e pyesja veten a mund të bëj një qilim të bukur. Kur e pashë për herë të parë në Pazarin e Vjetër në Korçë, u mahnita dhe jam shumë e lumtur që po mësoj tani. Më pëlqen tradita shqiptare. Nëse bëj një qilim, do ta marr me vete në Taivan”. “E pamë online këtë mundësi dhe përherë kam dashur të mësoj të thur qilima. Erdha kastile nga Tirana në Korçë për të mësuar. E dua traditën shqiptare. Po mësoj sepse jam e interesuar t’i bëj vetë një ditë”, thonë ato.
Kjo nismë e Qendrës Rinore, përveç vajzave të huaja, shpreson të tërheqë vëmendjen edhe të vajzave shqiptare, të cilat duket se i kanë braktisur prodhimet tradicionale të zonës, prodhime që sot po preferohen dhe vlerësohen shumë nga të huajt. (A2 Televizion)