Aeroporti i Vlorës do të përdoret për qëllime ushtarake. Kështu u shpreh në një intervistë për A2 CNN kreu i Aviacionit Civil Maksim Ethemaj, duke folur mbi planet e qeverisë në këtë drejtim. Sipas tij me hapjen e shkollave ushtarake dhe civile, ky sektor do të operojë si një industri duke zgjeruar aviacionin civil në vend dhe lehtësuar aksesin.
“Nuk ka të bëjnë me faktin që do e ketë aeroporti i Vlorës apo i Rinasit, por me faktin Aviacioni Civil në Shqipëri po zhvillohet nga një perceptim që lidhej me fluturimet e avionët komercialë. Sot operojmë më shumë mundësi zhvillimi si industri; futja e organizatave të mirëmbajtje hapja e shkollave ushtarake dhe civile do të maksimizojë Aviacionin Civil, jo vetëm për fluturime komerciale, por si industri. Të dy aeroportet; i Vlorës dhe Rinasit bëjnë pjesë e kësaj infrastrukture për të komanduar zgjerimin e aviacionit civil në vend. Aeroporti i Vlorës ofron lehtësi te pasagjerët, nuk ka rëndësi sa do ulen, por ata që do ulen të aksesojnë rivierën tonë për një orë”, tha Ethemaj në A2 CNN.
Duke folur edhe për aeroportin e Gjirokastrës, ai tha se është në një fazë të avancuar të projektit.
"Aeroporti i Gjirokastrës është në një fazë të avancuar të projektit. Sa i përket konkurrencës kjo ka sjellë përftimi të drejtpërdrejt te pasagjeri”,tha Ethemaj në A2 CNN.
Teksa përmendi se Shqipëria ka çmimet më të lira në rajon, Ethemaj theksoi gjithashtu se këtë viti synohet të arrijë deri në 47 % qasja e popullsisë në aeroporte.
“Sot çmimet në Shqipëri janë më të lirat në rajon dhe kjo është arsyeja që duan të vijnë më shumë avionë. Në 2018 vetëm 6.7% e popullsisë kishte akses, vjet kishte 42%, këtë viti presim të shkojë në 47%. Deri në 2042 do të dyfishohet numri i pasagjerëve në aeroporte. Duam që të jetë i aksesueshëm nga të gjithë”.
(A2 Televizion)