Jumna Demiri, e ftuar në studion e “Dita Jonë” nga Bora Shahini dhe Rei Bezhani, tregoi se si e përjetoi situatën me gazin lotsjellës që u hodh pranë xhamisë, ditën e protestës kombëtare të Partisë Demokratike.
“Ajo që ndodhi ishte një situatë e frikshme, nuk e kam përjetuar ndonjëherë në xhami. Ne po faleshim dhe në fillim nuk po e kuptonim se çfarë po ndodhte. Vetëm kur dolëm nga xhamia e kuptuam tamam situatën. I dëgjuam zhurmat, por nuk i dhamë rëndësi pasi e dinim që ishte protesta, por menduam që nuk kanë punë me ne. Unë isha duke u falur jashtë kur gazi lotsjellës u hodh te oborri i xhamisë. Një nga ato gjërat më ra shumë pranë dhe ishte shumë mbytëse”, tha besimtarja.
“Pati njerëz që ishin në gjendje të fikëti. Rruga ishte bllokuar, nuk vinin dot të na merrnin. Brenda ishim shumë persona. Kishte panik dhe ankth. Për mua ishte një akt terrorizmi, pasi unë vetë jam ndjerë e terrorizuar në atë moment. Nuk e dija se çfarë na priste”, shtoi besimtarja.
(A2 Televizion)