
Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla bën me dije se po punohet për krijimin e një kalimi alternativ në aksin Librazhd-Prrenjas, pas dëmtimit të urës.
“Dhjetëra makineri të rënda po punojnë intensivisht dhe pandërprerje për krijimin e një kalimi alternativ në aksin Librazhd-Prrenjas, pas dëmtimit të një ure 30 vjeçare pranë Dragostunjës”, shkruan Balla në rrjetet sociale.
Autoriteti Rrugor Shqiptar bllokoi tërësisht qarkullimin në këtë aks, jo vetëm për automjetet, por edhe për këmbësorët për shkak të dëmtimeve të rënda që pësoi rruga.
Prej më shumë se 24 orësh, lidhja e vetme nga Tirana drejt Korçës është bërë përmes aksit Maliq–Moglicë–Gramsh, një rrugë që kalohet me vështirësi për shkak të infrastrukturës së amortizuar.
Prokuroria e Elbasanit ka nisur me iniciativë hetimet për dëmtimet që kanë sjellë bllokimin e qarkullimit për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkatërrimi i rrugës”, “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës”. (A2 Televizion)