Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit dhe Shoqata e Blegtorëve Prodhues të Qumështit kanë reaguar pas lajmeve se në sasi të caktuara qumështi është konstatuar aflatoksinë.
Përmes një deklarate të përbashkët zyrtare, thuhet se nuk ka asnjë çështje të hapur nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ndaj ndonjë prej kompanive të përmendura në disa media, lidhur me problematika të aflatoksinës.
Po ashtu, në deklaratë riafirmohet përkushtimi për përmbushjen e standardeve më të larta të sigurisë ushqimore, transparencën ndaj konsumatorëve dhe mbështetjen ndaj prodhimit vendas.
Burimet bëjnë me dije se AKU ka pasur informacion për një lot të qumështit që ishte shpërndarë edhe në Vlorë, se ka rezultuar me praninë e Aflatoksinës M1. Me të marrë informacionin kanë nisur kontrollet në qytet ku janë evidentuar 10 mostra në markete dhe supermarketet e qytetit.
Sipas burimeve, gjatë muajit mars janë analizuar mostra qumështi të marra në mënyrë rastësore në tregtim dhe në prodhim. Në bazë të analizave të kryera në ISUV disa kampione qumështi kanë rezultuar me praninë e Aflatoksinës M1. E pranishme në qumësht, ajo është kancerogjene dhe gjenotoksike, ndërsa rreziku është veçanërisht i lartë për fëmijët dhe konsumatorët e rregullt.
Njoftimi zyrtar i 2 shoqatave:
Deklaratë e përbashkët
Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit dhe Shoqata e Blegtorëve Prodhues të Qumështit informojnë opinionin publik se sot është bërë publike deklarata e përbashkët zyrtare, në të cilën sqarohen faktet lidhur me zhvillimet e fundit në industrinë e qumështit.
Në këtë deklaratë riafirmohet përkushtimi për përmbushjen e standardeve më të larta të sigurisë ushqimore, transparencën ndaj konsumatorëve dhe mbështetjen ndaj prodhimit vendas.
Ftojmë të gjithë të njihen me përmbajtjen e plotë të deklaratës së bërë publike.
(A2 Televizion)