Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, pranoi se forca e tij politike në të shkuarën ka marrë mandate nga Partia Demokratike, duke mirëkuptuar faktin që për disa demokratë aleanca mes dy partive shihet si barrë.
“Partia e Lirisë është Parti kontribuuese dhe kurajoze. Nuk i kemi marrë mandate PD-së, por do t’i japim shumë më tepër, duke nisur nga Tirana e në të gjithë Shqipërinë. Fuqia e Partisë së Lirisë është edhe garancia për rrotacionin e tretë dhe më historik që ajo do i japi Shqipërisë, pas atij të 2005, kur i hoqi 20 mandate PS-së që bllokoi integrimin, pas atij të 2013 kur e detyroi Edi Ramën të votonte para zgjedhjeve, tre ligjet që bllokonte për integrimin. Kështu që demokratët të luftojnë fort në terren siç lufton Berisha dhe çdo gjë është ok”, tha Meta përballë gazetarit Andrea Danglli.
Në vitin 2009, me votat e LSI Sali Berisha ruajti postin e kryeministrit. Katër vite më vonë ishte Edi Rama që përfitoi nga aleanca me partinë e Metës. Këtë herë, kë sheh Meta si kryeministër?
“Absolutisht vetëm Berishën dhe shumë më të mirë se Berishën e dytë”, u përgjigj ai në “Off the Record” me Andrea Dangllin. (A2 Televizion)