Presidenti i Partisë së Lirisë tha që është i sigurt se forca politike që ai drejton do të marrë 12 mandate të sajat në zgjedhjet e 11 majit, pavarësisht se ai vetë ndodhet në qeli prej tetorit të vitit të kaluar.
“Fushata ime ecën me ritme të shkëlqyera, nga 80-150 letra në ditë. Ajo filloi me 50-100 letra në ditë dhe do të përfundojë me 200 letra në ditë besoj. Po kështu jam I bindur se Partia e Lirisë ecën e sigurt drejt 12 mandateve të saj (4+8). Unë u rrëmbeva në 21 tetor në mënyrë banditeske, siç u rrëmbye Aldo Moro në Itali nga brigadat terroriste, pikërisht për shkak të 11 majit, që Rama të grabisë 1 mandat të katërt, por gjërat kanë ndryshuar shumë që atëherë”, tha Meta në një intervistë të dhënë ekskluzivisht nga qelia për “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.
“Njerëzit e Partisë së Lirisë, kudo po punojnë në terren dhe më mirë se një pjesë e strukturave.
Jam çdo ditë në kontakt me dhjetëra e qindra prej tyre. Që nga momenti i shpalljes së emrit në listat e hapura, dita ime ka ndryshuar shumë. Pasi prioriteti Nr. 1 është leximi i letrave që vijnë dhe shkrimi i letrave për bashkëpunëtorët, anëtarët e Partisë së Lirisë, por edhe shokët e miqtë që nga fëmijëria, shkolla, gjimnazi, universiteti, sporti etj”, tha Meta. (A2 Televizion)