“S’ka vend më të mirë se burgjet për të kuptuar çfarë ndodh jashtë”, Meta: Rama i çoroditur, ja pse na duhen 84 mandate

Nga A2 CNN
26 Prill 2025, 22:19 | Politikë

“S’ka vend më të mirë se burgjet për të

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, thotë se koalicioni Shqipëria Madhështore ka nevojë për 84 mandate për të larguar përgjithmonë Ramën nga politika.

Në një intervistë për “Off the Record” me Andrea Dangllin, Meta shpjegoi edhe si po zhvillon fushatën forca politike që ai drejton.

“Se si financohet fushata e Partisë-Shtet dihet botërisht, nga krimi, inceneratorët e PPP.  Fushata e Partisë së Lirisë është më modestja por, edhe do rezultojë më e suksesshmja dhe më efikasja.  Fushata ime vetëm me letra, stilolapsa e karta telefonike. Ndërsa unë ju përgjigjem juve, janë mijëra njerëz që kërkojnë votën për Nr.1 dhe për Ilir Metën në qarkun e Tiranës.

Çdo ditë Tedi, Erisa dhe kolegë të tjerë që dalin në terren më dërgojnë të fala nga miq të para shumë kohëve që kanë ardhur edhe nga SHBA, Gjermania, Kanadaja, Greqia e që kanë nisur fushatën për mua, pa ua kërkuar askush. Kjo është fushatë zemrash, jo lekësh. Ndaj rezultati do jetë spektakolar”, tha ai.

“Thonë se nuk ka vend më të mirë se burgjet për të kuptuar se çfarë ndodh jashtë. Dhe unë e kam shumë të qartë se çfarë ndodh jashtë. Mbi 90% e mediave e televizioneve, kontrollohen nga pushteti dhe s’kanë asnjë lidhje me realitetin. Unë sondazhet i lexoj shumë mirë edhe në çoroditjen e Edi Ramës, i lexoj në tmerrin e tij për të dalë përballë gazetarëve, i lexoj në urdhrin e tij për të shmangur ballafaqimet direkte të ministrave e deputetëve me drejtuesit dhe kandidatët e opozitës, në tmerrin e tij për të dalë përballë Sali Berishës se jam i bindur se do e braktis studion e debatit pa kaluar 5 minutat e para me ulërima”.

I pyetur nga Andrea Danglli se pse pretendon se do të marrë 84 mandate si koalicion, Meta u përgjigj: “Që të zhdukim listat e mbyllura që solli Edi Rama pa Edi Ramën. Se për të qeverisur do të na mjaftonin 71 mandate që janë të padiskutueshme. Nëse Edi Rama do i besonte sondazhet që porosit vetë, apo do e kishte lojën nën kontroll të plotë, si në 2021 kur kishte të kapur përmes McGonigal dhe McGonigal-es dhe kryetarin e PD do kandidonte i 18 ose 19 në Tiranë siç kandidoi i 8 në Durrës kur kishte qepur çdo gjë jo vetëm me bandat por edhe me Lulin që pranoi vonimin  e numërimit derisa LSI të “humbiste” mandatin për 90 vota. Edi Rama po shkon drejt një katastrofe edhe pse kjo është një garë e jona me një shtet mafioz të kapur totalisht prej tij”, tha Meta në “Off the Record”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos