Gjykata e Posaçme shtyn për më 18 janar seancën ndaj biznesmenit Rezart Taçi, i akuzuar për "pastrim parash".
Avokatët mbrojtës të biznesmenit në kërkim ndërkombëtar i kërkuan gjykatës pushimin e çështjes, me argumentin se drejtësia italiane ka pushuar çështjen për dy persona të akuzuar për të njëjtën çështje.
Gjykata i ka dhënë kohë avokatëve të paraqesin me shkrim kërkesën.
Biznesmeni i shpallur në kërkim prej nëntorit të vitit 2021 akuzohet nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal që po pastronte 18.3 milionë euro të mafies italiane.
Sipas një hetimi shqiptaro-italian, ai ishte pjese e një skeme financiare të drejtuar nga dy shtetas italianë, një prej të cilëve i hetuar më herët në vendin fqinj për lidhje me njerëz të organizatës mafioze “Cosa Nostra”. Në qershor 2021, ata mbërritën në Shqipëri ku u pritën nga Artur Balla e Bledar Lilo, kunati dhe ish-shoferi i Taçit. Në ditët në vijim, u hapën disa llogari bankare në Shqipëri, ndërsa në një bankë të nivelit të dytë u transferuan 18,3 milionë euro në një llogari të vetme.
Sipas SPAK, teksa ndodhej jashtë vendit, Taçi ka angazhuar Ballën e Lilon, për të kryer transaksione kundrejt kësaj shumë drejt Hong-Kongut dhe Singaporit, operacion që u ndërpre, pasi SPAK sekuestroi shumën. (A2 Televizion)