Moti i keq, mbi 300 familje në Korçë e Pogradec pa energji elektrike

Nga A2 CNN
8 Janar 2024, 09:48 | Aktualitet

Moti i keq, mbi 300 familje në Korçë e Pogradec pa energji

Edhe ditën e sotme mungon energjia elektrike në disa fshatra të juglindjes së vendit. Nga ana e OSSHE, bëhet me dije se 150 familje të fshatrave të njësisë administrative Lekas në bashkinë e Korçës janë pa energji.

Pa energji elektrike janë edhe 169 familje në 5 fshatra të njësisë administrative Dardhas në Bashkinë e Pogradecit. 170 familje janë pa energji elektrike dhe në fshatra të bashkisë së Kolonjës që furnizohen nga fidri 2 i nënstacionit të Ersekës.

Pa energji elektrike janë tre fshatra në Moglicë të bashkisë së Maliqit, ndërkohë që probleme te shkëputjes së energjisë elektrike gjatë orëve të fundit ka patur dhe në fshatra të njësisë administrative Vithkuq dhe Bulgarec të bashkisë së Korçës.

E rëndë paraqitet situata në akset e rrugëve të zonave të thella malore aty ku ndërmarrjet e shërbimeve të bashkive janë duke punuar për normalizimin e kësaj situate ndërkohë që drejtuesve të mjeteve u kërkohet të kenë mjetet e tyre të pajisura me zinxhirë.

Nga ana tjetër, të gjitha rrugët nacionale përfshi dhe ato të fshatrave turistike Dardhë, Voskopojë e Vithkuq janë të kalueshme pa probleme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos