Eraldo Fizi në burg për vdekjen e Xhuana Nikollajt, në gjykatë: E kam goditur, por nuk e kam dhunuar sistematikisht

Nga A2 CNN
2 Tetor 2026, 12:28 | Aktualitet

Eraldo Fizi në burg për vdekjen e Xhuana Nikollajt, në

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën “arrest me burg” për Eraldo Fizin, i akuzuar për dhunë në familje dhe shkaktimin e vetëvrasjes së ish-bashkëshortes së tij, Xhuana Nikollaj.

Gjatë seancës gjyqësore, Fizi ka pretenduar se ndodhet në një gjendje të rënduar psikologjike. Ai ka pranuar se ka pasur një debat me Xhuanën dhe se e ka goditur një ditë para ngjarjes, por ka mohuar se e ka dhunuar në mënyrë sistematike.

“Do të përballem me pasojat. Kam pasur debat me Xhuanën. Një ditë para ngjarjes e kam goditur, por s’e kam dhunuar sistematikisht”, ka deklaruar Fizi gjatë seancës.

Xhuana Nikollaj dhe Eraldo Fizi ishin martuar në vitin 2025, por martesa zgjati rreth tre muaj. Pas ndarjes, 25-vjeçarja jetonte me motrat e saj në Tiranë.

Sipas hetimeve, më 9 mars Xhuana Nikollaj dhe Fizi u takuan dhe mes tyre pati një konflikt fizik. Një ditë më pas, më 10 mars, e reja konsumoi fostoksinë dhe humbi jetën, raporton A2 CNN.

Në kuadër të hetimeve, në trupin e 25-vjeçares u konstatuan shenja dhune në kokë, fytyrë dhe në njërin krah. Në banesë u gjet gjithashtu një letër e lënë prej saj për familjarët.

Familjarët e Xhuana Nikollajt kanë deklaruar pas ngjarjes se e reja ishte dhunuar dhe përndjekur nga ish-bashkëshorti.

Fizi ishte shpallur në kërkim prej më shumë se gjashtë muajsh dhe u vetëdorëzua të mërkurën në Policinë e Lezhës, i shoqëruar nga avokati i tij. Më pas ai u transferua në Tiranë, ku gjykata caktoi masën “arrest me burg”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos