Alban Bushi humb prindërit në aksident në Greqi, reagon kreu i FSHF-së

Nga A2 CNN
30 Tetor 2024, 18:52 | Aktualitet

Alban Bushi humb prindërit në aksident në Greqi, reagon kreu i

Kreu i FSHF-së, Armand Duka ka reaguar në lidhje me lajmin e ndarjes nga jeta si pasojë e një aksidenti tragjik në Greqi të prindërve të teknikut të Kombëtares së futbollit U-21, Alban Bushi.

Në një postim në Facebook, Duka i shpreh ngushëllimet Alban Bushit dhe familjes së tij për këtë humbje të madhe krahas një fotoje me fjongo të zezë.

“Sapo mësova lajmin e dhimbshëm për ndarjen tragjike dhe të parakohshme nga jeta të dy prindërve të jashtëzakonshëm, njerëzve të mirë, Ali dhe Bukurije Bushi, në një aksident në Greqi.

Në këtë moment të vështirë, mendimet e mia shkojnë tek Albani dhe të gjithë anëtarët e tjerë të familjes, që përveç trishtimit për këtë humbje të madhe, do të përballen edhe me mungesën e pamatë të dashurisë prindërore.

Në emrin tim personal dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit, ku Albani ka kaluar shumë vite si pjesë e kësaj familjeje të madhe, shpreh ngushëllimet më të sinqerta.

Qoftë kujtimi i tyre i paharruar!”, shkruan Duka.

Mësohet se prindërit e Bushit kanë humbur jetën në një aksident rrugor të ndodhur në Veria të Greqisë ditën e djeshme.Në aksidentin tragjik kanë humbur jetën babai i ish-futbollistit kuqezi, Ali Bushi (73 vjeç dhe nëna e tij, Bukurije Bushi (71 vjeç).

Mësohet se automjeti tip “Mercedes Benz”, që drejtohej nga babai i Bushit është përfshirë në një aksident në rrugën “Egnatia”, në aksin që lidh Verian me Selanikun.

Ka qenë një furgon i drejtuar nga 47-vjeçari grek Marios Simitliotis që ka përplasur makinën me targa shqiptare AB 454 GF, duke i shkaktuar vdekjen Ali dhe Bukurije Bushit. I plagosur lehtë ka mbetur shtetasi grek, i cili është arrestuar nga policia.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos