Incident të papranueshëm dhe të inskenuar nga kryeministri Edi Rama e ka konsideruar kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule, protestën kundër eurodeputetit Fredi Beleri në Tiranë, ku u qëllua me vezë dhe kos nga një qytetar.
I pranishëm në protestën e opozitës te Kthesa e Kamzës në kryeqytet, Dule theksoi se këto akte lënë hije për imazhin e Shqipërisë që ëndërron të jetë pjesë e realitetit europian.
“Duhet pohuar ajo që pamë të gjithë nuk ishte protestë, por ishin 2-3 individë që ishin motivuar prej tjetër kujt. Incident i inskenuar, është i papranueshëm nga çdo këndvështrim. Pas asaj është dora e vetë atij që inskenoi arrestimin dhe pengimin e drejtimit të bashkisë së Himarës nga zoti Beleri. Pra zoti Rama dora vetë. Këto akte janë të kopsitura në mënyrë amatore dhe të dënueshme prej të gjithëve. Por efektet e incidenteve të tilla shkojnë përtej ditës ku ndodhin, lënë hije për imazhin e shoqërisë sonë që ëndërron të jetë pjesë e realiteteve europiane. Nuk ka inskenim të zotit Rama që mund të eklipsojë këtë realitet”, tha Dule për A2.
Ai bëri thirrje për kontributin e të gjithë kundër autokracisë së Ramës siç e quajti ai.
“Ajo që është në vëmendjen e të gjithë është autokracia e zotit Rama dhe duhet të kontribuojmë të gjithë maksimalisht që ky proces që ka nisur me protestën e opozitës në Strasburg, kontaktet në Këshillin e Europës dhe do të vijë rezultati. Zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe sovrani të thotë fjalën e fundit këtu duhet të bashkohemi të gjithë”, u shpreh Dule për A2.
Për protestën e sotme Dule tha se dëshmi që reagimi qytetar po masivizohet dhe intensifikohet.
“Reagimi është dhe duhet të jetë qytetar se kushtet ku jetojmë janë të një autokracie të mirëfilltë që ka kapur çdo segment të jetës publike shtetërore e qeveritare kjo është dëshmi se protesta e reagimi po masivizohen e intensifikohen. Kjo është dita e parë që shënon mosbindjen civile përtej Tiranës. Është një sukses në sensibilizimin e qytetarëve dhe për të përcjellë mesazhin se praktika të tilla nuk kanë vend e nuk do të tolerohen”. (A2 Televizion)