Protestuesit kanë djegur goma edhe në protestën tek Kthesa e Kamzës në Tiranë. Përveç gomave, protestuesit i vunë flakën edhe kazanëve të plehrave.
Pas tensioneve dhe përplasjes mes protestuesve dhe forcave të FNSH-së, të kthesa e Kamzës së fundmi protestuesit i kanë vënë flakën gomave dhe kazanëve të plehrave. Zjarri është në vendin ku protestuesit kanë lënë makinat për të bllokuar rrugën.
Prej orës 17:00 vijon protesta e opozitës në disa nga akset kryesore të vendit, me qëllim bllokimin e qarkullimit, e planifikuar deri në orën 20:00.
Më herët te Kthesa e Kamzës, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka u kërkoi efektivëve të largohen dhe të mos provokojnë qytetarët, përndryshe ata do t’i drejtohen shtëpisë së kryeministrit Edi Rama në Surrel.
Ndërkohë në Elbasan është hapur qarkullimi për automjetet, ndërsa në Levan aksi vijon ende i bllokuar, por protestuesit po largohen. I paralizuar prej orës 17: 00 është qarkullimi edhe në Shkozet. (A2 Televizion)