Apeli i Posaçëm la në burg presidentin e Partisë së Lirisë Ilir Meta. Ky i fundit ankimoi në Apel vendimin e Shkallës së Parë të 26 qershorit, që vijoi masën "arrest në burg".
"Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Igerta Hysi, sot më 17.07.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 168 akti, datë 10.07.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim I.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 391, datë 26.06.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: 1. Verifikim i kushteve të masës së sigurimit personal “Arrest me burg” për shtetasin I.M., akuzuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale. 2. Zëvendësimi i masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, me një masë tjetër”, dhe vendosi:
- Miratimin e vendimit nr. 391, datë 26.06.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
- Kundër vendimit lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.
U shpall në Tiranë, sot më datë 17.07.2025", thuhet në vendimin e Gjykatës.
Para nisjes së seancës në një deklaratë të shkurtër për mediat, avokati i ish-presidentit, Kujtim Cakrani u shpreh: "Patjetër që do lirohet, e ka thënë Ajatollahu sot, do ta lirojmë".
Pak ditë më parë presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka bërë ankim në Gjykatën Kushtetuese ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë që e la atë në arrest me burg.
Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, Meta shprehet se vendimet e 3 gjykatave ai i Gjykatës së Lartë, Gjykatës së Apelit, dhe Gjykatës së Shkallës të Parë, për masën arrest me burg ndaj tij, janë antikushtetuese, pasi shkelin Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se po mbahet në qeli pa akuzë. (A2 Televizion)