Bashkia e Durrësit nis në mes të natës aksionin për lirimin e plazheve publike

Nga Elitjona Doko
12 Qershor 2025, 22:15 | Aktualitet

Bashkia e Durrësit ka nisur mbrëmjen e sotme një aksion për lirimin e hapësirave publike në plazhet e qytetit, të cilat janë zaptuar në mënyrë abuzive nga subjekte apo individë të ndryshëm.

Ky operacion vjen si pjesë e masave të marra për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror. Në një njoftim zyrtar, Bashkia bën me dije se çadra dhe shezlongë të vendosur pa leje janë larguar nga zonat publike të plazhit, të cilat janë të dedikuara për përdorim nga të gjithë qytetarët dhe pushuesit.

"Në kuadër të masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik nisëm aksionin për lirimin e plazheve publike nga çadrat dhe shezlongët e vendosur në mënyrë abuzive nga persona të ndryshëm, duke i zaptuar këto hapësira që janë të dedikuara për të gjithë qytetarët", thuhet në njoftimin e Bashkisë.

Autoritetet vendore theksojnë se ky aksion do të vijojë përgjatë gjithë vijës bregdetare të Durrësit, me qëllim garantimin e një plazhi të lirë dhe të aksesueshëm për të gjithë pushuesit.

Bashkia u bën thirrje të gjithë subjekteve dhe individëve të respektojnë hapësirat publike dhe të mos kryejnë zaptime të paligjshme, pasi këto zona janë pronë e përbashkët dhe duhet të jenë të disponueshme për të gjithë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos