“Jemi duke punuar për një sistem të ri dixhital të kontrollit të shkollave dhe çdo klase me kamera inteligjente të rrugëve kombëtare dhe të qyteteve. Po punojmë prej një viti me këtë projekt me Emiratet e Bashkuara Arabe.”
Në më pak se 48 orë nga kjo deklaratë e kryeministrit Edi Rama, e diktuar nga konflikti mes adoleshentëve në shkollën Fan Noli” në kryeqytet që i mori jetën 14-vjeçarit Martin Cani, institucionet janë vënë në lëvizje. Bashkia Fier ka çelur një tender dhe kërkon vendosjen e kamerave inteligjente në thuajse gjithë kopshtet dhe shkollat e qytetit.
“Implementimi i këtij sistemi është një detyrim i vazhdueshëm që vjen si pasojë e kërkesës nga institucionet përkatëse dhe organet kompetente për rendin dhe sigurinë publike në vend në funksion të mësimdhënies dhe mundëson qëllimin final, që janë ambientet të sigurta e të mbrojtura për fëmijët/ nxënësit e mësuesit e sistemit arsimor parashkollor dhe parauniversitar”, thuhet në procedurën tenderuese të hapur nga Bashkia Fier.
Sipas dokumenteve të tenderit të depozituar në Agjencinë e Prokurimit Publik, kërkohet vendosja e kamerave në shkollat 9-vjeçare “Jani Bakalli”, “Andon Xoxa” e “Mark Dashi” si dhe në ato të mesme “Perikli Ikonomi” dhe “Jakov Xoxa”.
Kamera kërkohet gjithashtu të vendosen në kopshtet e qytetit në lagjet “Liri Gero”, “Kastriot”, “Liri”, “8 shkurti”, Sheq dhe Portëz.
“Sa i përket mbulimit me sisteme monitorimi apo vëzhgimi me kamera CCTV deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë projekt i mirëfilltë për të garantuar përmbushjen e detyrimeve ligjore në këtë fushë. Ka pasur vetëm investime të fragmentarizuara nga institucione të ndryshme për të përmbushur nevojat e tyre më minimale. Në objektet e sipërpërmendura aktualisht nuk ekziston një sistem i mirëfilltë i survejimit me kamera.”
Qeveria planifikon që deri në fund të vitit të ardhshëm, të vendosen sisteme monitorimi me kamera inteligjente në gjithë institucionet arsimore të vendit. (A2 Televizion)