
Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton që do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit në aksin Librazhd-Korçë, për shkak të punimeve që do të kryhen në fshatin Dragostunjë.
Bllokimi pritet të zgjasë nga dita e sotme deri në datën 5 shkurt, nga ora 22:00 deri më 05:00.
Bëhet me dije se gjatë këtij intervali kohor aksi do të jetë i pakalueshëm për mjetet, veçanërisht për mjetet e tonazhit të rëndë.
“Drejtuesit e mjeteve për mjetet e vogla mund të përdorin rrugën alternative ‘Maliq-Lozhan-Moglicë-Gramsh’, në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas. Shërbimet e Policisë dhe kontraktorët e rrugës do të jenë të pranishme në terren, për menaxhimin e situatës, garantimin e rendit dhe të sigurisë rrugore”, thuhet në njoftim, raporton A2CNN.
Pikat e kalimit kufitar janë njoftuar për informimin e drejtuesve të këtyre mjeteve, për bllokimin e përkohshëm të qarkullimit.
Gjatë kohës së bllokimit të lëvizjes do të lejohen të qarkullojnë vetëm autoambulancat, mjetet zjarrfikëse dhe ato të Policisë. (A2 Televizion)