
Ceremonia për përurimin e një shtatoreje të shkrimtarit Ismail Kadare në Tiranë është kthyer në objekt debati në distancë mes mjekut Skënder Brataj dhe botuesit Bujar Hudhri.
“Te ‘Juvenilja’, në kafenenë e preferuar të Kadaresë, më 28 janar, ditën e 90-vjetorit të lindjes, u përurua shtatorja e shkrimtarit, vepër e skulptorit Henri Mimani. E gjithë ceremonia u drejtua nga një mjek i nderuar, i cili tani është edhe mik i familjes Kadare. Ai e zbuloi shtatoren, mbajti fjalën e rastit, të cilën e mbylli me deklarimin se shkrimtari u paskësh lënë amanetin: ‘Më mbroni kur të mos jem.’
Ndërsa dëgjova këtë kinse amanet, më vetiu në kokë më erdhi mendimi se, pikërisht në mesnatën e diktaturës, kur të ikte koka, Kadareja kishte guxuar të ishte aq trim sa të shkruante dhe të arrinte të botonte ‘Pallatin e ëndrrave’. Dhe ishte krejt i vetëm, i pambrojtur, shkruan zonja Kadare në kujtimet e saj. Askush nuk iu gjend pranë, përveç dashurisë së jetës së tij, Helenës. Dhe e mbrojti vetëm talenti i tij i jashtëzakonshëm, vepra e tij gjeniale, që ishte bërë ndërkohë pronë e thesarit botëror.
Dhe diktatura nuk guxoi t’i prekte një fije floku!
Kur më erdhi radha të flisja, e ndjeva që kjo thënie më kishte nxjerrë nga binarët, më kishte pushtuar një ndjenjë mallëngjimi. Kadareja në bronz m’u duk kaq i largët dhe u ndjeva i vetmuar. Më solli në vete pamja që kisha përballë, ai grumbull i bukur dhe i heshtur i njerëzve, miqve të vërtetë të Kadaresë, që e kishin shoqëruar shkrimtarin tim të dashur në vitet kur unë nuk isha pranë tij. I shihja të thinjur, të plakur, të trishtuar. Pastaj befas ndjeva gëzim, admirim në sytë e tyre, por unë pothuajse e humba dhe m’u duk se nuk i thashë dot fjalët që kisha në mendje dhe në zemër për njeriun e shenjtë të jetës sime njerëzore dhe profesionale”, shkruan Hudhri në një shkrim të botuar në revistën kulturore “ExLibris”, përcjell A2 CNN.
Kjo ka shkaktuar reagimin e Bratajt. “Zoti Hudhri po të them fjalët që nuk kam mundur t’i them këto pesë vite! Kot nuk thonë se njerëzit duhet t’i vësh në provë për t’i njohur! Është e dyta herë që zoti Bujar Hudhri, me hipokrizinë e vet, nxjerr fytyrën e vërtetë në dy evente solemne për ne shqiptarët në lidhje me Kadarenë! Ai nuk njeh rregulla, mirësjellje, humanizëm, respekt për traditat, heshtje kur duhet apo edukatë qytetare. Ai njeh vetëm interes ekonomik”, shkruan Brataj në një postim në Facebook.
“Ditën e vdekjes së Kadaresë, në një moment delikat dhe solemn, ku heshtja, respekti dhe humanizmi duhet të përcillnin për në banesën e fundit gjeniun e letrave shqipe, një njeri i vogël, mjeran, për të spostuar vëmendjen drejt vetes, bëri deklaratën ku akuzonte Urgjencën Mjekësore që drejtoj, se ambulanca nuk kishte pajisje! Ditën e djeshme shkruan se nuk mundi t’i thoshte fjalët që donte Kadaresë ditën që u vendos statuja (po ta dëgjonte Kadare fjalën “statujë”, të cilën ai e shkruante shqipërisht “shtatore”, nuk e di nëse zoti Hudhri do të gjente vend ku të futej). Nuk i tha dot ato fjalë te “Juvenilja”, sepse ceremoninë e hapi një mjek i nderuar.
Zoti Hudhri citon: “Ndërsa dëgjova këtë kinse amanet, më vetiu në kokë mendimi se, pikërisht në mesnatën e diktaturës, kur të ikte koka, Kadareja kishte guxuar të ishte aq trim sa të shkruante dhe të arrinte të botonte ‘Pallatin e ëndrrave’”.
Amanetin e lënë nga Kadare për mbrojtjen e tij kur të mos jetë dhe të figurave kombëtare, ai e kishte shumë të qartë prej kohësh. Ai nuk ia la amanet Skënder Bratajt, por intelektualëve shqiptarë. Ku bëni pjesë edhe ju, zoti Hudhri?
Kadare e kishte të qartë luftën që filloi kundër figurave kombëtare, prandaj këshillonte: “Figurat kombëtare duhen mbrojtur, sepse ato janë pasaporta morale e një populli; pa to, kombi varfërohet në dinjitet.”
“Kadare na paralajmëronte se denigrimi i figurave kombëtare është një armë e vjetër kundër kombeve të vogla dhe më e rrezikshmja është kur këtë punë e bëjnë vetë njerëzit e vendit, me zell të çuditshëm”, sidomos në Shqipëri.
Ky ishte amaneti, zoti Hudhri, dhe këto amanete i ka dëgjuar edhe familja e tij që ishte prezente! Ju duhet të jeni i pari për ta mbrojtur, sepse ju sjell ende fitime financiare, mos harroni.
Të kishte nxjerrë nga binarët ajo thënie sepse ju nuk shikonit dot njeri afër Kadaresë. Juve ju qeshi fytyra kur ngritët kokën dhe patë rreth e rrotull miqtë e tij! Pse?
Është e vërtetë që u çelët, që buzëqeshët, sepse shumë prej miqve të tij nuk i lije të afroheshin të pinin kafe me të kur ai ishte gjallë. Ju qeshët sepse tani e di që nuk e takojnë dot më Kadarenë!”. (A2 Televizion)