
Gjykata Kushtetuese nuk ka arritur sërish të marrë një vendim për ankimin e Këshillit të Ministrave në lidhje me çështjen e Belinda Ballukut, duke e shtyrë për herë të dytë shqyrtimin e saj. Mbledhja në dhomë këshillimi, e zhvilluar këtë të martë, nuk prodhoi një vendimmarrje përfundimtare, duke e lënë çështjen të hapur për një seancë tjetër.
Gazetari i A2 CNN, Ervin Koçi, raporton se trupa e Gjykatës Kushtetuese po kërkon më shumë kohë për t’u shprehur mbi konfliktin e kompetencave mes Këshillit të Ministrave dhe Prokurorisë së Posaçme, lidhur me pyetjen nëse mund të pezullohet ose jo një anëtar i qeverisë gjatë hetimit penal. Ky vendim konsiderohet me peshë të dyfishtë, pasi ka ndikim jo vetëm juridik, por edhe politik, duke reflektuar drejtpërdrejt në veprimtarinë e Kuvendit dhe të Këshillit të Mandateve.
Sipas afateve ligjore, Gjykata Kushtetuese ka 30 ditë kohë për të marrë një vendim përfundimtar, afat i cili skadon më 22 shkurt. Megjithatë, burime pranë procesit bëjnë me dije se për shkak të ndjeshmërisë së lartë të çështjes dhe pasojave të saj institucionale, gjyqtarët po shfrytëzojnë maksimalisht kohën në dispozicion për të krijuar bindjen e plotë mbi vendimmarrjen.
Shtyrja e vendimit nga Kushtetuesja ka sjellë si pasojë direkte edhe bllokimin e mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Rregullores në Kuvend, i cili ka në shqyrtim kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Pa një verdikt përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, mazhoranca socialiste nuk pritet të avancojë në këtë proces.
Mungesa e transparencës mbi zhvillimin e mbledhjeve dhe debatin e brendshëm të gjyqtarëve kushtetues mbetet një tjetër problematikë, pasi gjykata nuk publikon agjendat dhe as detaje mbi ecurinë e shqyrtimeve, duke e lënë opinionin publik në pritje të informacionit zyrtar.
Tashmë, vëmendja është përqendruar te seanca e radhës e Kushtetueses, nga e cila pritet një vendim që do të përcaktojë jo vetëm fatin juridik të çështjes Balluku, por edhe zhvillimet në Kuvend. (A2 Televizion)