Më shumë se 237 mijë fëmijë kanë përfituar bonusin e bebes prej fillimit të programit të qeverisë në janar 2019. Lajmin e dha sot në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama, sipas tij cilit për fëmijën e parë, bonusi është 40 mijë lekë, për fëmijën e dytë është 80 mijë lekë dhe për fëmijën e tretë është 120 mijë lekë.
“Mirëmëngjes dhe me njoftimin e këndshëm se më shumë se 237 mijë fëmijë kanë përfituar bonusin e bebes prej fillimit të programit të qeverisë në janar 2019, duke mbështetur familjet e reja me 40,000 lekë për fëmijën e parë, 80,000 për fëmijën e dytë dhe 120,000 lekë për fëmijën e tretë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në Facebook.
Pak ditë më parë A2 CNN raportoi se bonusi i bebes po tkurret bashkë me lindshmërinë. Nga miliona që jepeshin dikur, këtë vit janë shpërndarë më pak se gjysma. Familjet që jetojnë jashtë nuk përfitojnë më.
Por pas 6 viteve në fuqi, A2 CNN raportoi se skema e bonusit të bebes do të ndryshojë duke iu përafruar vendeve europiane si Greqia apo Italia. Kjo me qëllim “joshjen” e çifteve të reja të lindin më shumë fëmijë.
Nga 1 janari i vitit të ardhshëm shteti do të japë para çdo muaj nga momenti i lindjes së bebes e deri sa të bëhet 5 vjeç.
Për fëmijën e parë pagesa do të jetë 5 mijë lekë në muaj ose 60 mijë lekë në vit, për të dytin 7 mijë lekë në muaj apo 84 mijë lekë në vit dhe për të tretin 10 mijë lekë në muaj po 120 mijë lekë në vit, shkruan A2. (A2 Televizion)