Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro vizitoi kantierin e punimeve për ndërtimin e Qendrës Multifunksionale dhe Stacionet e Informimit për Parkun Kombëtar “Lumi Vjosa” në Tepelenë dhe Përmet. Ministrja njoftoi se me miratimin e planit kombëtar të menaxhimit të parkut kombëtar, do të bëhen ndërhyrje për rehabilitimin e disa problematikave në zonën e Vjosës.
“Jemi këtu për të ndjekur punimet e një kantieri të madh që do të ketë tre vendndodhje. Qendra më e madhe është gjithashtu edhe muzeu natyror, do të jenë edhe ambientet e edukimit mjedisor, por edhe mjedise shërbimesh për turistët dhe vizitorët, ndërsa do të ketë mjedise në dispozicion edhe për studiuesit, bashkë me laboratorin si dhe mjediset e administratës. Do të ndodhen këtu. Një pjesë e këtij projekti, lidhet edhe me projektin e menaxhimit të integruar të mbetjeve. Pak më tutje ka qenë një vend depozitim aspak i pëlqyeshëm i mbetjeve të bashkisë Tepelenë i cili zhvendoset krejtësisht dhe integrohet në pjesën tjetër të projektit të menaxhimit të mbetjeve për t’i lënë vend këtu një hapësire prej rreth 3.500 metra katrorë në shërbim të vizitorëve, administratës, turistëve e studiuesve, ekspertëve të mjedisit, sidomos atyre të dashuruar me Vjosën që kanë kontribuar në pozicione të ndryshme në 10 vitet e fundit, deri sot që është Park Kombëtar. Me miratimin e planit kombëtar të menaxhimit të Parkut Kombëtar Lumi Vjosa, do të kemi edhe ndërhyrje për rehabilitimet e disa pikave të cilat i kemi trashëgimi të një të kaluare ku aktivitete industriale që sot janë në stade pasive, do të kenë një plan rehabilitimi gradual bashkë me qendrën e Vjosës”.
Ministrja theksoi se në Vjosë nuk ka aktivitete të reja që impaktojnë parkun, por po ka nisur puna për rehabilitimin që mbron lumin e fundit të egër në Europë nga efektet e aktiviteteve njerëzore të së shkuarës.
“Arsyeja pse e shpallëm park kombëtar, pas një kohe shumë të gjatë dhe sensibilizimi forcash, ishte për t’i dhënë një të ardhme të re Luginës së Vjosës si lumi i fundit i egër në Evropë. Prandaj gjithë historiku është ndalur, janë bllokuar dhe anuluar kontratat e mëparshme për HEC-e të ndryshme. Kjo është arsyeja pse këtë vit ka nisur paralelisht zbatimi i disa projekteve të mëdha si plani i menaxhimit të integruar të mbetjeve në gjithë qarkun e Gjirokastrës, projekti që kemi me Bankën Botërore për trajtimin e ujërave të ndotura në Vjosë. Po kështu, po punojmë ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe Albpetrol për një tjetër projekt të reahbilitimit të territorit që s’kanë të bëjnë me Vjosën, por prekin edhe Vjosën, siç janë vend depozitimet e vjetra të naftës, sepse nuk ka aktivitete të reja naftënxjerrëse aty, të cilat në një mënyrë ose tjetër impaktojnë edhe parkun tonë. Shpallja Park Kombëtar nuk ka të bëjë vetëm me vullnetin dhe vendimmarrjen, por ka përgjegjësi dhe kosto shumë të mëdha, që kërkon bllokim të disa aktiviteteve ekonomike, por edhe një edukim të madh për banorët.”
Më tej ministrja Kumbaro, vizitoi stacionin e dytë të qendrës së vizitorëve që po ndërtohet në Përmet, ku një pjesë e projektit parashikon edhe rivitalizimin e vendstrehimit të gurit të qytetit, një monument natyror dhe kulturor duke e bërë një pjesë integrale të projektit që do të shërbejë si muze natyror. Aty ministrja Kumbaro, u takua edhe me stafin e Zyrës së Administrimit të Parkut Kombëtar Lumi Vjosa, ndërsa qendra e tretë e këtij projekti do të ndërtohet në Vlorë.
Parku Kombëtar i Lumit Vjosa, i cili përfshin edhe tre degëzimet Drino, Bënçë dhe Shushicë, përfshin një sipërfaqe prej 12,727 hektarë, në një vijë lumore prej 480 kilometrash në katër qarqe të vendit. Për këtë arsye, me Vendim të Këshillit të Ministrave është krijuar një Zyrë e dedikuar për Administrimin e Parkut Kombëtar të Vjosës, ndërsa ka hyrë në fuqi edhe plani i menaxhimit. (A2 Televizion)