
Prefektura e Qarkut Korçë njofton se situata paraqitet e qëndrueshme, pavarësisht reshjeve të shiut dhe borës gjatë natës. Reshje bore janë regjistruar në zonat malore, ku po punohet për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve, ndërsa qarkullimi vijon normalisht në të gjitha akset kryesore.
Për shkak të defekteve teknike, disa fshatra kanë mbetur pa energji elektrike. Konkretisht, 176 abonentë në zonat Bezhan, Butkë dhe Pepellash, si dhe 12 abonentë në zonat Gurore dhe te antenat televizive janë pa energji. Ekipet janë në terren për riparimin e defekteve.
Ndërkohë, shërbimi zjarrfikës i Bashkisë Maliq ka ndërhyrë për shuarjen e një zjarri në një banesë në fshatin Zvezdë, ndërsa strukturat e emergjencave mbeten në gatishmëri.
Njoftimi
Situata në Qarkun Korçë: reshje bore në zonat malore, disa fshatra pa energji elektrike
Prefektura e Qarkut Korçë bën me dije se, bazuar në raportimet e strukturave përgjegjëse, situata në territorin e qarkut paraqitet e qëndrueshme, pavarësisht reshjeve të shiut dhe borës gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit.
Në segmentet Boboshticë-Dardhë dhe Lapidar Podgorie-Podgorie-Liqenas ka pasur reshje bore, ndërsa po punohet për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve me dy mjete borepastruese.
Në aksin Korçë-Ersekë (K.3) janë regjistruar reshje të pakta shiu, pa problematika në qarkullim.
Reshje bore me intensitet të ulët janë shënuar edhe në akset Bilisht–Miras dhe Zemblak–Doganë Gorice, por pa krijim shtrese, ndërsa qarkullimi vijon normalisht. Edhe në segmentet e Kontratës nr. 2 ka reshje shiu të lehta, pa ndikim në lëvizjen e mjeteve.
Në Lotin 7, në akset Libonik-Rëmbec-Plasë dhe Korçë-Voskopojë, gjatë natës ka pasur reshje shiu, ndërsa nga ora 06:00 reshje bore në kilometrat 9-18, pa pengesa për qarkullimin.
Sa i përket furnizimit me energji elektrike, Fideri 4 i N/St Mollas është i stakuar për shkak defekti, duke lënë pa energji 176 abonentë ruralë në zonat Bezhan, Butkë dhe Pepellash. Po ashtu, Fideri Cervenakë i N/St Gur i Kuq është jashtë funksionit për shkak defekti, me 12 abonentë privatë pa energji në zonat Gurore dhe te antenat televizive. Ekipet janë në gatishmëri për riparimin e defekteve, ndërsa të gjithë fiderat që furnizojnë konsumatorë të rëndësisë së veçantë janë funksionalë. Hidrovori i Pogradecit vijon punën normalisht.
Ndërkohë, MZSH e Bashkisë Maliq ka ndërhyrë për shuarjen e një zjarri në një banesë në fshatin Zvezdë, Njësia Administrative Pojan. Në vendngjarje është dërguar mjeti zjarrfikës, ndërsa në gatishmëri janë edhe forcat e MZSH-ve Pustec dhe Pogradec
(A2 Televizion)