Veliaj kërkon zëvendësim të masës së sigurisë, nis seanca në GJKKO

Nga Armand Bajrami
1 Shkurt 2026, 09:19 | Aktualitet

Gjykata e Posaçme shqyrton sot një kërkesë të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj për zëvendësim të masës së sigurisë "arrest në burg".

Seanca ka nisur pak minuta më parë. Kryebashkiaku Veliaj është i pranishëm në sallën dhe po ashtu dy prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado.

Në kërkesën e depozituar nga mbrojtja, Veliaj argumenton se masa e sigurisë “arrest në burg” nuk është më e justifikuar, duke theksuar se hetimet kanë përfunduar, dosja është depozituar në gjykatë dhe nuk ekziston më rreziku i prishjes së provave apo pengimit të procesit. Ai nënvizon gjithashtu faktin se në pak ditë mbushet një vit nga vendosja e kësaj mase ekstreme sigurie.

Në këtë seancë, Veliaj përfaqësohet nga avokati Sokrat Gjermani, ndërsa në sallë është e pranishme edhe avokatja e caktuar kryesisht, Valentina Teodoresku.

Ndërkohë, vijon edhe përplasja me prokurorin Ols Dado. Pak ditë më parë, Veliaj ka depozituar një padi administrative ndaj tij dhe Presidentit të Republikës, duke kërkuar shfuqizimin e dekretit të emërimit të Dados si prokuror. Sipas Veliajt, në atë padi të depozituar në gjykatë, kryebashkiaku pretendonte se Olsi Dado nuk duhet, duhet të shfuqizohej dekreti i presidentit për emërimin e tij si prokuror në Republikën e Shqipërisë, për shkak se sipas kryebashkiakut Veliaj, Olsi Dado nuk kishte përfunduar shkollën e magjistraturës dhe referuar ligjit të kohës, nuk mund të bëhej prokuror.

Por kjo padi nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë në seancën e sotme, ndërsa Gjykata Administrative ka vendosur rikthimin e saj për plotësim formal. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos