Pak orë pasi studiuesi Auron Tare përmes rrjeteve sociale denoncoi se pranë monumentit të kulturës Shpella e Spilesë në Himarë, po ndërtohej një lavazh automjetesh, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit e ka hedhur poshtë këtë pretendim.
“Imagjinojeni në një shtet tjetër një mrekulli të tillë ku historia e Homerit tregohet ende nga banorët. Sa e rëndësishme do ishte për trashëgiminë e zonës por edhe për turizmin kulturor", shkruan Tare.
Por, MEKI në një deklaratë për mediat sqaron se inertet që shihen në foton e publikuar nga Tare do të përdoren për disa projekte që synojnë rijetëzimin e Shpellës së Spilesë. Sipas ministrisë, ndërhyrjet parashikohet të nisin në periudhën shtator-tetor.
“Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit informon se, falë marrëveshjes së bashkëpunimit për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore mes MEKI, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkisë Himarë, janë miratuar disa projekte ndërhyrjesh për rijetëzim, mes tyre edhe për Shpellën e Spilesë në Himarë. Theksojmë se Shpella e Spilesë është një Monument Kulture i Kategorisë së Parë dhe çdo ndërhyrje kryhet vetëm mbi bazën e miratimit nga institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore, duke respektuar standardet më të larta të mbrojtjes dhe ruajtjes së saj”, thuhet në deklaratë.
Më tej shpjegohet se ndërhyrjet funksionale të parashikuara përfshijnë vendosjen e rrethimit mbrojtës, instalimin e paneleve informuese, dhe ndriçimin dekorativ.
“Pamjet që po qarkullojnë në media dhe rrjete sociale si pretendim se Shpella e Spilesë po kthehet në një “lavazh” apo pronë private nuk qëndrojnë. Përkundrazi, ajo do të rikualifikohet sipas projektit të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale. Asnjë lavazh, parkim apo zaptim abuziv, asgjë që cenon statusin e saj të mbrojtjes, nuk do të tolerohet!”, thekson MEKI.
Po ashtu bëhet me dije se për ndërhyrjet në afërsi të shpellës, me mbështetjen e pushtetit vendor dhe organeve ligjzbatuese do të ketë rikualifikime urbane e rikuperime që do të përmirësojnë kontekstin territorial duke evokuar vlerat turistike të zonës. (A2 Televizion)