
Mozaiku i Tiranës është emëruar për çmimin “Ndërtesa e Vitit 2026”, nga revista prestigjioze e arkitekturës, ArchDaily. Lajmin e dha ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit në Shqipëri, Blendi Gonxhja.
“Mozaiku i Tiranës nominohet për çmimin “Ndërtesa e Vitit 2026” nga ArchDaily. Projekti “Mozaiku i Tiranës – Ndërhyrje Kulturore”, i realizuar nga SONarchitects, përfaqëson një ndërthurje mes ruajtjes së trashëgimisë arkeologjike dhe arkitekturës bashkëkohore. Ky nominim e pozicionon Tiranën në skenën ndërkombëtare të arkitekturës si një shembull i dialogut mes historisë dhe së tashmes”, shkroi Gonxhja në Facebook, përcjell A2 CNN.
Mozaiku i Tiranës daton që prej shek. III dhe është zbuluar në vitet ’70 të shekullit të kaluar gjatë punimeve për ndërtimin e një blloku pallatesh. Sot, godina, përpos historikut të saj, shërben edhe si pikë informacioni vizuale për të gjithë mozaikët që mbart arkeologjia shqiptare. (A2 Televizion)