Denoncimi i mjekëve në Berat: Duan të vënë burra e gra në një dhomë në maternitet

Nga Gazmend Janku
14 Nëntor 2025, 15:01 | Aktualitet

Rikonstruksioni i repartit të kirurgjisë së përgjithshme në Spitalin Rajonal të Beratit rrezikon të shkaktojë problematika serioze në repartin e obstetrikë-gjinekologjisë, i njohur ndryshe në gjuhën popullore si materniteti.

Dy mjekë të këtij reparti, Gentjan Kusta dhe Arqile Vasili, kanë denoncuar zaptimin e sallës kirurgjikale të maternitetit pa një njoftim paraprak dhe kanë denoncuar kushtet e papërshtatshme në të cilat drejtoria e Spitalit Rajonal të Beratit po i detyron të punojnë.

“Si mund të trajtohet një grua me një burrë. Pretendojnë të vëmë burrë dhe grua këtu. Mendojnë që këtu të vendosin një grua që aborton me një burrë që ka bërë operacion apendiciti. Është jashtë çdo lloj ligji, çdo lloj konvente ndërkombëtare”, thonë ata për A2 CNN.

Nga ana tjetër, drejtuesi i Spitalit Rajonal Berat, Arben Konomi, jashtë kamerave shpjegon se procedurat janë kryer në përputhje me ligjin, me shkresat që i janë dorëzuar Ministrisë së Shëndetësisë që në datën 17 tetor 2025, për fillimin e rikonstruksionit të repartit të kirurgjisë me një kohëzgjatje tre mujore.

Nga punimet që po kryhen, nuk është prekur vetëm gjinekologjia, por edhe repartet e patologjisë dhe pediatrisë. Ai ka paralajmëruar masa ligjore dhe administrative nëse pengohet puna e repartit të kirurgjisë gjatë periudhës së rikonstruksionit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos