Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, zhvilloi një vizitë në rajonin stërvitor të Bizës, me rastin e përmbylljes së stërvitjes shumëkombëshe “Defender 2025”.
Ministri Vengu u shoqërua nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, Komandanti i Forcës Tokësore, gjeneralmajor Ilir Xhebexhia, Komandanti i Forcës Ajrore, gjeneralmajor Ferdinant Dimo, si dhe Drejtori i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralbrigade Ardian Lilo, shkruan A2.
Gjatë vizitës, Ministri i Mbrojtjes dhe drejtuesit e tjerë të lartë të FA-së ndoqën nga afër demonstrimet taktike dhe angazhimin e trupave të përqendruara në terren, në kuadër të fazës përmbyllëse të stërvitjes.
Në vijim, gjeneralbrigade Lilo informoi Ministrin përmes një prezantimi gjithëpërfshirës mbi të gjitha aspektet e “Defender 25”, duke përfshirë fazën përgatitore, konferencat planifikuese, pjesëmarrjen ndërkombëtare, objektivat strategjike, kapacitetet e angazhuara si dhe mësimet e nxjerra nga zhvillimi i saj.
Me këtë rast, Ministri Vengu shprehu mirënjohjen dhe falënderimet e tij për të gjithë efektivët pjesëmarrës, duke vlerësuar lart përkushtimin, profesionalizmin dhe nivelin e lartë të bashkëpunimit të treguar gjatë të gjitha fazave të stërvitjes.
Vizita u përmbyll me një drekë të përbashkët të Ministrit me trupat, si shenjë respekti dhe motivimi për angazhimin e tyre në këtë stërvitje të rëndësishme ushtarake. (A2 Televizion)