Dita e Pavarësisë, meshë për bekimin e flamurit shqiptar në Korçë

Nga Artin Halili
28 Nëntor 2023, 15:24 | Aktualitet

“Duajeni atdheun dhe popullin qe ju ka rritur me vepra dhe jo vetëm me fjalë”. Ky ka qenë mesazhi i kryemitropolitit të katedrales “Ringjallja e Krishtit” në Korçë. Kjo deklaratë u dha pas meshës së mbajtur për bekimin e flamurit shqiptar me rastin e festës së pavarësisë së vendit.

Përveç ceremonive të rastit të ngritjes së flamurit dhe nderimeve të rastit, katedralja “Ringjallja e Krishtit” ka organizuar një meshë të veçantë për bekimin e flamurit shqiptar.

Pas meshës kryemitropoliti Joan Pelushi ka bërë apel që atdheun dhe popullin ta duam me vepra dhe jo vetëm me fjalë.

“Gjithsecili nga ne nëse do e perëndinë do të dojë vendin që e ka lindur e rritur dhe popullin e tij. Atdhetar është ai që lulëzon vendin e tij.  Fjalët e bukura pa vepra janë si pema pa fruta dhe fruti i vërtetë i dashurisë është gjithmonë vepra. Në këtë ditë të shënuar u uroj të gjithëve gëzuar për shumë vjet”, u shpreh Joan Pelushi kryemitropoliti i katedrales “Ringjallja e Krishtit”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos