"T'i thuash derrit, dajë", Albin Kurti komenton deklaratën e Berishës

Nga A2 CNN
28 Nëntor 2023, 12:07 | Aktualitet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa ishte i pranishëm sot në qytetin e Vlorës në kuadër të 111-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, mbajti një deklaratë për mediat.

Fillimisht, Kurti foli për vizitën e tij sot në Vlorë, sipas të cilit, ishte për të bërë nderimet përkatëse në kuadër të kësaj dite të shënuar për kombin shqiptar, ndërsa bëri me dije se, pasdite dhe gjatë ditës së nesërme do të jetë në Kosovë, ku do të zhvillohen një sërë aktivitetesh për Pavarësinë.

“Ne ishim këtu sot në Vlorë për të bërë nderimet me krerët institucionalë dhe pasdite do të jemi në Kosovë për të bërë homazh te varrezat e Jasharajve. Për shkak se të gjithë aktivitetet nuk mund t'i vendosim në një ditë, do të vazhdojmë edhe nesër me ngjarje të ndryshme kulturore, artistike për nder të 28 Nëntorit, kësaj date themeltare të identitetit tonë kombëtar”, u shpreh Kryeministri Kurti.

Por, kreu i qeverisë së Kosovës, u pyet nga gazetarët e pranishëm në lidhje me deklaratat e z. Berisha nga Vlora, i cili përdori një shprehje për të përshkruar takimin e Kurtit me Ramën, duke i thënë: “I themi derrit, dajë”.

Kurti tha se sot nuk është dita për të tilla dallime politike, apo polemika aktuale, por shtoi se sot duhet të jemi të gjithë bashkë, pasi shqiptarët sipas tij, e kanë të përbashkët gjuhën dhe kulturën, historinë dhe ardhmërinë dhe e tashmja mbushet me kuptim pikërisht në këtë mënyrë.

Takimin tuaj me z. Rama sot, Berisha e ka komentuar duke thënë: “I themi derrit, dajë”...

"Nuk është sot dita që të flasim për dallimet politike, për polemikat aktuale, por sot jemi bashkë, shqiptarët e kanë të përbashkët gjuhën dhe kulturën, historinë dhe ardhmërinë dhe e tashmja mbushet me kuptim pikërisht në këtë mënyrë. Kemi ditë, shumë ditë të tjera përgjatë vitit për tema të tilla", u përgjigj Kurti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos