
Aksi Pogradec-Qafë Thanë, një nga rrugët që ka ngarkesën më të madhe pasi lidh Korçën me Tiranën prej dy ditësh është i boshatisur, njëjtë si në kohën e pandemisë, raporton A2CNN.
Lëvizja e mjeteve është me gishtat e dorës, kjo pasi bllokimi i rrugës ka bërë që mjetet të gjejnë alternativa të tjera lëvizjeje ose të mos lëvizin fare.
Qarkullimi do të vazhdojë të jetë i bllokuar në segmentin rrugor në zonën e Arrat e Gurrës, pjesë e aksit Librazhd-Pogradec. Ky segment, i cili pritej të hapej mesditën e sotme, ka pësuar rrëshqitje masive toke, duke e bërë qarkullimin të pakalueshëm.
Për arsye sigurie janë tërhequr mjetet e firmës zbatuese dhe është ndaluar qarkullimi i mjeteve dhe këmbësorëve. (A2 Televizion)