Dumani, mesazh nga Durrësi: Pa drejtësi nuk mund të ketë paqe

Nga Gazmend Janku dhe Elitjona Doko
18 Prill 2025, 14:22 | Aktualitet

SPAK është i aftë të ushtrojë detyrën që i ngarkon ligji ndaj çdo subjekti. Ky është mesazhi që kryetari i kësaj prokurorie, Altin Dumani, ka dhënë nga Durrësi, ku ishte i ftuar nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” në konferencën shkencore ndërkombëtare me temë: Shteti, Shoqëria dhe e Drejta.

“SPAK ishte një ndër produktet e reformës në drejtësi dhe në këto vite të punës së tij ka treguar se është i aftë të ushtrojë ndjekjen penale ndaj çdo subjekti, pavarësisht fuqisë politike, ekonomike apo lidhjeve që mund të ketë me botën e krimit të organizuar”, tha Dumani, shkruan A2 CNN.

“Besimi dhe drejtësia janë dy elemente të rëndësishëm që përbëjnë thelbin e çdo marrëdhënieje. Pa drejtësi nuk do të ketë paqe dhe pa llogaridhënie nuk mund të ketë demokraci të shëndetshme. Dhe ne po përpiqemi të garantojmë që ligji të lexohet njësoj, pa u privilegjuar disa dhe harruar disa të tjerë”, shtoi ai.

Por, për një shtet të së drejtës dhe për një drejtësi më të drejtë, sipas Dumanit, nevojitet një angazhim i të gjithë aktorëve. Në këtë kontekst, ai u ka drejtuar një apel edhe juristëve të rinj.

“Shpresa për një drejtësi më të përgjegjshme lidhen drejtpërdrejt me formimin e brezit të ri të juristëve. Ky brez duhet të pajiset jo vetëm me njohuri, por edhe me etikë, guxim dhe ndjenjë shërbimi ndaj interesit publik”, tha Dumani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos