Mijëra emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi janë rikthyer orët e fundit në vendin tonë me rastin e ditës së Pashkës. Gjatë 24 orëve të fundit nëpërmjet pikave të kalimit kufitar të Kapshticës dhe Kakavijës ka patur fluks kryesisht në hyrje të territorit shqiptar.
Në Kapshticë të dhënat nga policia kufitare flasin për të paktën 10.000 emigrantë shqiptarë që jetojnë e punojnë në shtetin grek, që kanë hyrë në vendin tonë për të festuar pashkën me të afërm dhe familjarë të tyre. Për këtë arsye në Kapshticë policia kufitare shqiptare po punon me 6 sportele në hyrje, ndërsa po mbahet komunikim i vazhdueshëm me autoritetet kufitare greke që në rast të shtimit të fluksit, kalimi të bëhet me procedurë të përshpejtuar.
Thuajse e njëjta situatë paraqitet orët e fundit edhe në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. Të dhënat zyrtare nga kjo pikë flasin që 24 orët e fundit janë përpunuar mbi 10 mijë persona, ku natyrisht shumica e tyre janë në hyrje të territorit shqiptar.
Në këtë pikë policia kufitare shqiptare po punon me katër sportele në hyrje. Një fluks i ngjashëm ndoshta edhe më i madh pritet të vijojë deri pasditen e kësaj të premte dhe paraditen e së shtunës. (A2 Televizion)