Durrësit nuk i mungojnë vizitorët, por sfidë mbetet kalimi në turizëm cilësor

Nga Elitjona Doko
5 Korrik 2025, 12:01 | Aktualitet

Rritja e ndjeshme e numrit të vizitorëve që zgjedhin bregdetin e Durrësit për të kaluar pushimet, ka vënë në lëvizje edhe pushtetin vendor, i cili po përpiqet t’i përgjigjet kërkesave në rritje të operatorëve turistikë dhe nevojës për të zgjeruar paketën e shërbimeve. Për Bashkinë e Durrësit, sfida nuk është vetëm mirëpritja e turistëve, por edhe mbajtja e tyre sa më gjatë në qytet, duke e tejkaluar funksionin e deritanishëm të Durrësit si pikë transiti drejt jugut apo vendeve të rajonit.

Sipas Drejtorisë së Turizmit në Bashkinë e Durrësit, është shtuar bashkëpunimi me operatorët turistikë dhe bizneset vendase për të promovuar atraksionet natyrore dhe kulturore dhe ato historike,  që po organizohen me më shumë intensitet gjatë muajve të verës. Por, megjithatë, sfida mbetet e njëjtë prej vitesh tërheqja e turistëve me më shumë fuqi blerëse. Për këtë arsye, strukturat vendore janë të vetëdijshme se duhen investime të mëtejshme në infrastrukturë, pastrim, siguri dhe komunikim turistik, në mënyrë që qyteti të jetë i denjë për të mirëpritur jo vetëm sasinë, por edhe cilësinë e turistëve.

Me gjithë përpjekjet dhe zhvillimet pozitive, Durrësi mbetet ende në një fazë tranzicioni, mes turizmit masiv dhe atij të orientuar drejt përvojave cilësore. Realizimi i këtij qëllimi kërkon një vizion afatgjatë, investime të qëndrueshme dhe një bashkëpunim më të gjerë mes institucioneve dhe sektorit privat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos