Ndërsa Elbasani vuan ditën e katërt nën pushtetin e tymit toksik si pasojë e djegies në mënyrë të pakontrolluar të landfillit të mbetjeve urbane pranë inceneratorit që prej muajsh nuk punon, një grup qytetarësh, disa prej të cilëve të ardhur edhe nga Tirana, janë përpjekur të sensibilizojnë si qytetarët e Elbasanit ashtu edhe prokurorinë e këtij rrethi për mos gjetjen e fajtorëve dhe mosndëshkimin e tyre që me rastet e mëparshme që kanë ndodhur në atë landfill.
Fakti është që zjarri në landfillin e mbetjeve është një ngjarje e përsëritur dhe pasoja më e dukshme është vetëm tymi që rëndon jetën e banorëve të Elbasanit dhe rrethinave të tij.
Pjesëmarrësit u kanë bërë thirrje qytetarëve të Elbasanit që të reagojnë për këtë situatë ndërsa kanë renditur edhe arsyet që sipas tyre nuk ka një reagim.
Me gjithë përpjekjet e qindra forcave të angazhuara për shuarjen e vatrës së zjarrit edhe gjatë ditës së premte tymi toksik ka mbuluar thuajse gjithë zonën e Elbasanit. (A2 Televizion)