
Autoritetet kanë shpallur evakuim të menjëhershëm për banorët e Bashkisë Durrës, konkretisht në Njësitë Administrative Sukth dhe Katund i Ri, për shkak të situatës së rënduar nga përmbytjet dhe rrezikut të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Vendimi është marrë në zbatim të Ligjit nr. 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile”, Planit Kombëtar të Emergjencave Civile dhe planeve vendore të emergjencave, ndërsa evakuimi do të realizohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefektin e Qarkut dhe strukturat vendore të emergjencave civile.
Sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin administrativ. Autoritetet bëjnë thirrje që çdo komunikim dhe kërkesë për ndihmë t’u drejtohet strukturave publike në terren.
Në procesin e evakuimit, prioritet do të kenë:
fëmijët,
të moshuarit,
personat me aftësi të kufizuara,
familjet që ndodhen në zona të izoluara.
Transporti i banorëve do të sigurohet nga mjetet e bashkisë, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH) si dhe Forcat e Armatosura.
Sa i përket strehimit të të evakuuarve, ai do të menaxhohet nga Bashkia, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, njësitë e kujdesit shëndetësor dhe strukturat e shërbimeve sociale. Do të kryhet regjistrimi i qytetarëve në momentin e mbërritjes, si dhe do të sigurohen ushqimi, veshmbathja dhe ndihma mjekësore, sipas nevojës. (A2 Televizion)