Festime të vakëta në Tiranë, pak qytetarë dhe asnjë politikan në ngritjen e flamurit

Nga Ornela Joti
28 Nëntor 2025, 15:06 | Aktualitet

Festime të vakëta në Tiranë, pak qytetarë dhe

Edhe Tirana ka ngritur flamurin kuqezi për 113-vjetorin e Pavarësisë së vendit. Nën himnin kombëtar, përfaqësues të pushtetit lokal, banorë të kryeqytetit dhe të ardhur nga trevat shqipfolëse kanë nderuar momentin simbolik të ngritjes së flamurit në sheshin “Skënderbej”.

Por situata në të cilën ndodhet prej muajsh Bashkia e Tiranës, me Erion Veliajn në paraburgim dhe me një kryetar të komanduar në krye të institucionit, është reflektuar edhe në ceremoninë e Ditës së Pavarësisë. Festimet për 113-vjetorin e Pavarësisë kanë qenë të vakëta, shkruan A2 CNN. E vetmja ceremoni zyrtare që u zhvillua në kryeqytet ishte ajo e ngritjes së flamurit, pranë monumentit të Skënderbeut, nga kryetarja në detyrë, Anuela Ristani, e cila mbajti edhe një fjalë përshëndetëse.

Mungonin përfaqësues të qeverisë apo edhe drejtuesja politike për Tiranën, Ogerta Manastirliu, e cila shpesh është parë në aktivitetet dhe ngjarjet e rëndësishme të kryeqytetit. Edhe qytetarët ishin më të paktë në numër, ndërsa të ardhurit enkas nga trevat për këtë ditë prisnin të mbahej parada kuqezi, edhe pse këtë vit nuk u zhvillua.

Festimet e Pavarësisë u zhvendosën në zonën e Pazarit të Ri, me aktivitete artistike nga nxënësit e shkollave të Tiranës. Ndërsa sheshi “Skënderbej” po bëhet gati për festimet e Natës së Bardhë, më 29 nëntor, për 81-vjetorin e çlirimit të vendit nga pushtuesit nazistë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos