Qeveria shqiptare ka miratuar këtë të enjte një vendim të ri në lidhje me rritjen e masave të sigurisë në institucionet arsimore parauniversitare. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave është vendosur që në gjimnazet me më shumë se 900 nxënës të jenë të pranishëm dy oficerë sigurie.
Vendimi i ri përcakton qartë kriteret për vendosjen e oficerëve të sigurisë në shkolla, bazuar në numrin e nxënësve. Sipas këtij vendimi:
“Në institucionet e arsimit të mesëm të lartë (gjimnaz), arsimit të mesëm profesional dhe arsimit të mesëm të orientuar që kanë mbi 80 nxënës, do të jetë i pranishëm një oficer sigurie. Në shkollat e arsimit bazë ose të bashkuara me më shumë se 350 nxënës, gjithashtu do të caktohet një oficer sigurie. Në institucionet me mbi 900 nxënës – përfshirë gjimnazet, shkollat e orientuara dhe ato bazë – do të caktohen dy oficerë sigurie. Për shkollat e arsimit të mesëm profesional që kalojnë kuotën prej 700 nxënësish, gjithashtu parashikohen dy oficerë sigurie”, thuhet në vendim.
Vendimi në fjalë është pjesë e një plani të zgjeruar për garantimin e sigurisë në shkolla, përmes ndërveprimit të vazhdueshëm mes oficerëve të sigurisë, nxënësve, stafit pedagogjik dhe komunitetit.
Numri i oficerëve dhe shpenzimet përkatëse do të përballohen nga fondet e miratuara përkatësisht nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, në varësi të llojit të institucionit.
Ky hap konsiderohet si një përforcim i politikave për sigurinë në shkolla, në një kohë kur problematikat me incidentet apo ngjarjet në ambientet arsimore janë bërë më të ndjeshme në opinionin publik, që pas ngjarjes tronditëse në shkollën “Fan Noli”, ku pas sherrit mes të miturve mbeti i vrarë me thikë, 14-vjeçari Martin Cani. (A2 Televizion)