Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), në bashkëpunim me MÜSİAD Albania, organizoi Forumin më të Madh të Investimeve Shqipëri–Turqi 2025, në Pallatin e Kongreseve.
Një event i nivelit të lartë ku të pranishëm ishin përfaqësues qeveritarë, sipërmarrës, investitorë dhe aktorë të zhvillimit ekonomik nga të dy vendet, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjen e investimeve të ndërsjella, shkruan A2.
Marrëdhëniet e mira tregtare, politike dhe ekonomike mes dy vendeve u vlerësuan nga kryeministri Edi Rama, zv.ministrja Belinda Balluku dhe ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.
I pranishëm në këtë forum, zëvendëspresidenti i Turqisë garantoi se mbështetja për Shqipërinë do të jetë e pakursyer në çdo përpjekje të saj për zhvillim.
Forumi mblodhi mbi 1 500 pjesëmarrës, përfshirë mbi 500 investitorë nga Turqia dhe rajoni. Fokusi i Forumit do të jetë në katër sektorë strategjikë me potencial të lartë zhvillimi: ndërtimi, teknologjia e informacionit dhe komunikimit, turizmi, bujqësia dhe industria ushqimore.
Ky aktivitet është një nga ngjarjet ekonomike më të rëndësishme të vitit, duke kontribuar në rritjen e bashkëpunimit dypalësh dhe në zhvillimin e marrëdhënieve të reja ekonomike me ndikim rajonal dhe ndërkombëtar. (A2 Televizion)