Shoqata e Gazetarëve Europianë, një ndër më të vjetrat në kontinent, do të drejtohet nga një shqiptar.
Vendimi unanim, i jep gazetarit Arbër Hitaj drejtimin e kësaj shoqate gjatë Asamblesë së 62-të, të zhvilluar në Romë. Në këtë Asamble kishte përfaqësues nga 20 vende të Europës.
“...Një kënaqësi shumë e madhe personale dhe padyshim vlerësim për Shqipërinë dhe punën që kemi zhvilluar për të mbrojtur gazetarët.
Kjo është hera e parë dhe besoj jo e fundit, që një gazetar shqiptar do të drejtojë një nga shoqatat më të vjetra në Europë për median. Kam vetëm falënderime për miqtë ndërkombëtarë për besimin. Mbrojtja e lirisë së medias është një sfidë që ngjason me një maratonë, duhet përditë të hedhësh hapa konstant e të sigurt”, shkroi gazetari në një reagim.
Kujtojmë se Shoqata e Gazetarëve Europianë ka një rol thelbësor në adresimin e sfidave me të cilat përballen sot mediat dhe gazetarët. (A2 Televizion)