Gramshi pas zjarrit shkatërrues, nëkryetari i bashkisë tregon si do të kompensohen banorët

Nga A2 CNN
15 Gusht 2025, 13:53 | Aktualitet

Teksa dhjetëra familje kanë mbetur pa banesa, pasi zjarri shkatërroi gjithçka, Bashkia e Gramshit thotë se do të ngrihet një komision i posaçëm verifikimi për dëmet e shkaktuara.

Nënkryetari i bashkisë, Xhilson Bajrami, tha për A2CNN se kompensimi do të bëhet ashtu siç deklaroi kryeministri për shtëpitë dhe bagëtitë.

Aktualisht, sipas tij, situata është normalizuar plotësisht dhe mbi 40 banorë janë strehuar në konvikte dhe struktura hoteliere.

“Momentalisht kemi rreth 40 banorë në konvikt, nga ata që kanë humbur shtëpitë e tyre. Kemi kërkuar mbështetje me burime njerëzore që grupet e punës të shkojnë në terren për të bërë vlerësimin sa më real dhe të shpejtë të dëmeve që janë shkaktuar. Pas vlerësimit, do të procedojmë me masat e shpërblimit”, tha nënkryetari i bashkisë.

“Askush nuk do të ngelet vetëm, qeveria do të mbështesë këdo që është prekur nga kjo fatkeqësi”, shtoi Bajrami. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos