Zjarret larg zonave të banuara, në të gjithë vendin 29 vatra aktive

Nga A2 CNN
14 Gusht 2025, 16:28 | Aktualitet

Zjarret larg zonave të banuara, në të gjithë vendin 29 vatra

Pas përpjekjeve intensive të mijëra forcave të emergjencave situata nga zjarret në vend është më e stabilizuar. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 57 vatra zjarri, nga të cilat 29 janë aktive.

Në bashkinë Delvinë vijon puna për vatrën e zjarrit në Syrin e Kaltër. Zjarri vazhdon aktiv në lartësitë e Malit të Sopotit si dhe në fshatrat Pecë, Sirikat dhe Kardhikaq, bashkia Finiq.

Një vatër zjarri është aktive në Malin me Gropa në Biz të Martaneshit, në zonë të mbrojtur.Në fshatin Tërnovë, bashkia Bulqizë zjarri është zhvilluar në disa vatra, por me intensitet të lartë në zonë me pyje, ndihmuar nga era.

Në Berat në fshatin Plashnik, për shkak të intensitetit të lartë të zjarrit dhe erës së fortë u rrezikuan seriozisht banesat ndërsa dje u evakuuan 20 banorë. Sot në ndihmë të forcave tokësore shkuan edhe 2 helikopterët e Emirateve të Bashkuara Arabe si dhe 2 helikopterët që operonin në bashkinë Gramsh.

Vatra e zjarrit midis qytetit të Poliçanit dhe fshatit Mbrakull vazhdon, por situata ka qenë e qetë dhe nën kontroll nga forcat zjarrfikëse. Vijon puna për shuarjen e zjarrit të ardhur në Dropull dhe Hormovë. Sot nuk ka vatra aktive në fshatra, por vetëm në lartësi të Majës së Golikut.

Në Elbasan ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në fshatin Kullollas.Vijon të jetë i pranishëm zjarri i rënë në fshatin Mukaj dhe fshatin Sojnik, njësia administrative Kukur, bashkia Gramsh, në sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Nuk kanë qenë të rrezikuara banesat.

Ne Korçë ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të aktivizuar në një sipërfaqe pyjore me pisha në fshatin Gërmenj. Gjatë ditës së djeshme ka patur shpërthime të municioneve që ndodheshin në brendësi të perimetrit të vatrës së zjarrit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos