Pas syrit të kaltër, kishave e teqesë, cilat monumente rrezikohen?

Nga A2 CNN
14 Gusht 2025, 18:44 | Aktualitet

Pas syrit të kaltër, kishave e teqesë, cilat monumente

Në këto ditë e net betejash me flakën, edhe monumentet e kulturës, apo objekte të kultit e trashëgimisë shpirtërore rrezikohen nga zjarri. Flakët që përhapen me shpejtësi në fshatrat e jugut e kudo në vend janë kambana e alarmit edhe për pasuri të tilla. Parku Natyror te Syri i Kaltër ishte një alarm i parë, por brenda ditës alarmi ra edhe për Parkun Natyror Korab-Koritnik.

Në Gramsh, flakët u përhapën me shpejtësi, po aq sa edhe raportimet për situatën e rënduat në fshatrat Sojnik, Snosem, në vendin e quajtur Teqeja e Komjanit. Kisha në Lefterohor të Delvinës është djegur si pasojë e flakëve që përfshinë këtë të mërkurë fshatin. Sipas priftit që shërbente në këtë kishë, ikonat dhe afresket janë djegur e dëmtuar. Ndërtesa sapo ishte restauruar. 

Ndërkohë Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Drejtoritë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, që po ndjek nga afër situatën e zjarreve në vend për të garantuar mbrojtjen e pasurisë sonë kulturore raporton se: në qarkun Gjirokastër, Kisha e Shën Ilias, monument kulture i kategorisë së II-të, në fshatin Lekël pësoi dëmtime nga zjarri, por pjesa më e madhe e strukturës u ruajt. Menjëherë pas evidentimit të nevojës për ndërhyrje, kemi nisur me hartimin e projektit.

Në qarkun Vlorë, i vetmi rast i prekur ka qenë Manastiri i Shën Mërisë së Krimanovës në fshatin Piqeras, ku flakët dëmtuan vetëm bimësinë në oborrin e pasëm të manastirit, pa cenuar strukturën.

Falë ndërhyrjes së shpejtë të strukturave të zjarrfikësve dhe ushtrisë, objekte si Muzeu i Kastriotëve dhe Kështjella e Fletit janë mbajtur jashtë rrezikut.  Në qarqet Dibër dhe Shkodër, pavarësisht vatrave të shumta, nuk janë regjistruar dëmtime në monumente.

Sipas njoftimit të MEKI: “Të gjitha DRTK kanë qenë në gatishmëri të plotë, duke krijuar breza sigurie përreth monumenteve, larguar vegjetacionin, ngritur grupe kontakti me zjarrfikësit, duke bashkëpunuar me institucionet përkatëse, pajisur stafin me mjete e materiale, dhe mbajtur në monitorim në terren për çdo emergjencë. Ekipet tona, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e zjarrfikëseve, ushtrinë dhe autoritetet vendore, mbeten të angazhuara, me prioritet absolut mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nga çdo rrezik natyror, si dhe për të planifikuar në vijim restaurimet e mirëmbajtjet e nevojshme të monumenteve të prekura”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos