Të gjithë shqiptarët që duan të kalojnë për në Greqi mund të udhëtojnë nga pika e Kapshticës, pasi 3 pikat e tjera doganore ajo e Kakavijës, Qafë Botës dhe Tre urave në Përmet janë të bllokuara për shkak të grevës së sindikatës greke të doganierëve.
Gazetari i A2 CNN Rigels Malile i vendosur në pikën kufitare të Kapshticës në jug të vendit, raportoi se greva ka nisur prej orës 8:00 të mëngjesit me orën greke dhe do të vijojë deri në orën 24:00. Sipas tij deri më tani nuk janë shënuar problematika, por ka patur kthime sporadike të personave që nuk kanë qenë të informuar për grevën. Mes të kthyerve ka pasur edhe shtetas grekë dhe turistë të huaj.
“Greva e doganierëve grekë në Kakavijë, Qafë Botë dhe Tre urat në Përmet ka nisur që prej orës 7 të mëngjesit të sotëm me orën tonë dhe e gjithë dita do të jetë e paralizuar deri në orën 23:00. Deri në këto momente nuk shënohen problematika, sa i përket radhëve apo grumbullimeve, edhe pse ka patur kthime sporadike të personave që nuk kanë qenë të informuar në lidhje me këtë grevë dhe janë detyruar të kthehen pas. Ka patur turistë të huaj që kanë dashur të kalojnë në drejtim të Greqisë, por nuk janë lejuar nga ana e autoriteteve shqiptarë. Në Kakavijë ka patur disa raste që shtetas grekë kanë dashur të kalojnë, por nuk janë lejuar dhe si gjithë të tjerët do të presin ditën e nesërme”, raportoi gazetari i A2 CNN.
Ndërkohë në pikën kufitarë të Kapshticës qarkullimi vijon normalisht. Gazetari i A2 CNN, Artin Halili raportoi se të gjithë shqiptarët që duan të kalojnë në Greqi mund të udhëtojnë nga pika e Kapshticës.
“Kapshtica ka qenë në punë normale. Kapshtica është e hapur gjatë ditës së sotme dhe duket që sindikatat kanë vendosur të mos e paralizojnë lëvizjen me Shqipërinë”, tha gazetari i A2 CNN.
Kjo grevë e paralajmëruar e sindikatave greke vjen në 2 vjetorin e tragjedisë në Greqi, ku dy trena u përplasën në Tempi të Larisas në Greqi më 28 shkurt të vitit 2023 dhe si pasojë e kërkesave të sindikatave të doganierëve. Në aksidentin tragjik humbën jetën 57 persona mes tyre 6 shqiptarë.
Sistemi publik në Greqi sot është paralizuar edhe avionët dhe trenat nuk janë lejuar të vijojnë punën dhe nuk ka një njoftim nëse protesta do të vijojë apo do të shtyhet. (A2 Televizion)