Nënë e fëmijëve me autizëm, Arta Bajrami thirrje publike Kurtit dhe Osmanit. Çfarë e tronditi artisten?

Nga A2 CNN
2 Shtator 2025, 08:56 | Aktualitet

Nënë e fëmijëve me autizëm, Arta Bajrami thirrje

Mesazhet e shumë nënave me fëmijë autikë që kërkojnë zgjidhje e nxitën këngëtaren Arta Bajrami që të dërgonte një letër publike 10 ditë më parë, kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani. Në një intervistë ekskluzive në Dita Jonë në A2 CNN, këngëtarja rrëfeu edhe eksperiencën e saj si nënë e dy fëmijëve autikë.  

“Unë kam reaguar se jam vetë nëna e dy fëmijëve me autizëm për shkak të padrejtësive, duhet së pari ligji me fëmijë të nevojave të veçanta. Nuk është në rend dite dhe as nuk zbatohet. Duke nisur nga shkolla, duhet t’i mirëpresin fëmijët me autizëm dhe gjithëpërfshirje në aktivitete të ndryshme, por edhe kostot e harxhimeve për trajtimet e tyre, ato kanë themeloret, ato janë bazat e tyre. Unë e mbuloj vetë kemi ndihmë nga shteti 100 euro, por për çdo fëmijë autik çdo problem është individual dhe me kosto të ndryshme”, tha ajo në A2 CNN.

Bajrami tregoi se ka marrë premtime nga partia në pushtet se me formimin e qeverisë do të miratohet ligji

“Para se të shkruaj letrën më kontaktojnë shumë nëna dhe ankohen tek unë dhe mendojnë se unë mund tua zgjidh problemet dhe atë ditë mora shumë mesazhe dhe më erdhi një frustim dhe e bëra atë letër. Kam qenë në kuvend dhe kam pas një takim me partinë në pushtet dhe më kanë premtuar që sapo të formohet do të vijë ky ligj në rend dite dhe do të votohet. Jemi në pritje”, u shpreh Bajrami në A2 CNN..

Këngëtarja rrëfen gjithashtu se pasi shkroi letrën, çështja filloi të politizohej dhe ajo nuk kërkon një gjë të tillë, por vetëm reagim nga institucionet.

“Pastaj filloi kjo gjë të politizohet filluan edhe këto partitë opozitare ta keqpërdornin. Nuk kam qasje politike, por kam kërkuar nga krerët kryesorë që të që të reagohet dhe punohet në këtë aspekt”.

Letër e Hapur drejtuar Kryeministrit dhe Presidentes së Republikës së Kosovës
Prishtinë, [21.08.2025]
I nderuar Kryeministër Albin Kurti
E nderuara Presidente Vjosa Osmani
Unë jam Arta Bajrami, këngëtare e njohur, por mbi të gjitha nënë e dy fëmijëve me autizëm. Sot nuk po ju shkruaj si artiste, por si një nënë që çdo ditë lufton me sfidat që sjell mungesa e përkujdesjes institucionale për fëmijët me nevoja të veçanta në Kosovë.
1. Ngërçi politik – shteti në kolaps
Që nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Kosova është futur në një ngërç politik të turpshëm. Kuvendi ka dështuar mbi 50 herë të zgjedhë një kryetar, Qeveria nuk është formuar, dhe jeta e qytetarëve është lënë peng i pazareve politike. Kjo krizë ka paralizuar çdo proces shtetëror – nga buxheti i institucioneve, deri te projektet sociale që prekin jetën e mijëra familjeve.
2. Ligji për fëmijët me nevoja të veçanta – padrejtësi e vazhdueshme
Edhe pse ka vite që flitet për ligjin për fëmijët me aftësi të kufizuara, ai ende nuk është miratuar. Ndërkohë, rreth 38 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara janë jashtë sistemit arsimor, dhe familjet e tyre nuk marrin as mbështetje minimale. Ju e dini se çdo ditë vonesë është një dëm i pariparueshëm për zhvillimin e këtyre fëmijëve. A ka më turp se një shtet që i kthen shpinën më të pambrojturve?
3. Projekti i Halil Kastratit – mbështetje që mungon
Humanisti Halil Kastrati ka nisur një projekt të jashtëzakonshëm për ndërtimin e një residence për fëmijët me autizëm. Ky është një projekt shpëtimtar, i cili do të sillte shpresë për shumë familje. Por edhe ky ka mbetur i bllokuar, sepse institucionet nuk po japin miratimin dhe përkrahjen që duhet. Kur shoqëria civile dhe individët humanë bëjnë atë që duhet të bënte shteti, ju përsëri heshtni.
Kërkesa ime
Unë nuk po ju lutem, po ju kërkoj me të drejtën që ma jep statusi i qytetares, i nënës dhe i një figure publike që përfaqëson shumë familje të ngjashme me timen:
1. Formoni menjëherë institucionet dhe nxirrni vendin nga kriza politike.
2. Miratoni ligjin për fëmijët me nevoja të veçanta pa asnjë vonesë tjetër.
3. Mbështetni dhe aprovoni projektin e Halil Kastratit për rezidencën e fëmijëve me autizëm.
Nëse nuk veproni, atëherë historia do t’ju kujtojë si udhëheqësit që lanë pas dore fëmijët më të brishtë të këtij vendi.
Me dhimbje, indinjatë dhe forcën e një nëne,
Arta Bajrami
Këngëtare & Nënë e dy fëmijëve me autizëm

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos